54 kallëzime për krime zgjedhore, dy raste kalojnë në kompetencë të SPAK-ut

Kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë publike të dhënat zyrtare mbi kallëzimet penale për krime zgjedhore të depozituara deri më 9 maj.
Në total, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë regjistruar 54 kallëzime, ndërsa për 23 prej tyre është marrë vendimi për të nisur hetimet. Tiranë rezulton të ketë numrin më të lartë të kallëzimeve, me 14 raste, por deri më tani asnjëri prej tyre nuk është regjistruar për hetim të mëtejshëm.
Ndryshe paraqitet situata në prokurorinë e Fierit, ku janë dorëzuar 5 kallëzime dhe për të gjitha është vendosur të kryhen veprime hetimore. Ndërkohë, prokuroria e Dibrës mban vendin e dytë për numrin më të lartë të kallëzimeve, me 9 të tilla, prej të cilave në dy raste janë regjistruar procedime për të identifikuar autorët e dyshuar.
Nga ana tjetër, dy kallëzime të dorëzuara në prokuroritë e Durrësit dhe Lezhës, si dhe dy procedime të regjistruara nga prokuroritë e Fierit dhe Shkodrës, janë transferuar për kompetencë tek Prokuroria e Posaçme (SPAK)./thashethemet.com