94 mandate me listë të hapur më 11 Maj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi sot numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 maj 2025.
KQZ vendosi që lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, ndërsa renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
Konkretisht në qarkun e Tiranës i cili ka 37 mandate 12 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 37 do t’i nënshtrohen votës, ndërsa në qarkun e Durrësit që ka 14 mandate 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 14 do t’i nënshtrohen votës.
Ndërsa në qarkun e Fierit me 16 mandate 5 kandidatë do të jenë të renditur në listë dhe 16 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Korçës me 10 mandate 3 kandidatë do të jenë të renditur dhe 10 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Kukësit me 3 mandate 1 do të jetë në listë dhe 3 do t’i nënshtrohen votës. Në qarkun Lezhë me 7 mandate 2 do të jenë në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës.
Po ashtu, në qarkun e Beratit i cili ka 7 mandate, 2 prej kandidatëve do të jenë të renditur në listë dhe 7 do t’i nënshtrohen votës; në qarkun e Dibrës me 5 mandate, 2 janë të renditur dhe 5 do t’i nënshtrohen votës; në Elbasan me 14 mandate 5 janë të renditur dhe 14 i nënshtrohen votës dhe në Gjirokastër me 4 mandate 1 kandidat do të jetë në listë dhe 4 do t’i nënshtrohen votës.