Debat mes Arlind Qorit dhe Fiori Dardhës, aktivisti: Shpresoj mos më përgjigjeni si Blendi Fevziu, gati më rrahu në studio, Dardha: Ju synokeni prime-in!

Aktivisti dhe njëherazi kryetari i “Lëvizjes Bashkë” është përfshirë në një debat televiziv me gazetaren e Top News, Fiori Dardha.
Qori ka hedhur akuza ndaj televizionit Top Channel për censurim të fjalës së tij dhe të mospaturit ftesa për një kohë të gjatë nga kjo media.
Aktivisti aludon se nuk i jepet një interes i veçantë, duke e konkretizuar këtë me faktin se ftesat i bëhen nga emisione të Top News, që sipas tij nuk përbën kohën televizive kryesore.
Në debatin me Fiori Dardha nuk i ka kursyer ironitë dhe ndaj televizionit Klan dhe gazetarit Blendi Fevziu, pasi nuk e lejuan të shprehte lirshëm mendimin dhe “të vërtetën” e tij, duke ia hedhur fajin interesave të pronarëve të televizioneve dhe oligarkëve.
Për më shumë ndiqni debatin e plotë:
Fiori Dardha: “Sepse ju keni thënë që në mediat kryesore në vend, unë nuk kam qenë i ftuar dhe për hir të së vërtetës dua të tregohem shumë e sinqertë me ju, vërtetë media nuk është e përkryer, zoti Qori por, ama, kritika juaj nuk ishte krejt e drejtë. Pse? Të nesërmen isha shumë kurioze dhe kam bërë biseda me kolegët e mi, Xhoi Malësia, edhe Dafina Hysën, për të parë se sa herë ishit i ftuar ju në Top News dhe më rezultoi që kishte minimalisht gjashtë apo shtatë intervista tuaja.
Arlind Qori: “Shumë e drejtë, shumë e drejtë.”
Fiori Dardha: “Në këtë studio, brenda një harku kohor prej dy muajsh. Në 4 Nëntor, pra, nuk mund të thoni që media nuk më ka dhënë hapësirën e duhur. Keni qenë në Top News, që duke lënë modestinë mënjanë ka një vizibilitet të jashtëzakonshëm. Apo nuk e kishit për Top News? Për kë?
Arlind Qori: “Një sekondë. Se edhe uroj shumë që të mos, se unë kam respekt për ju, të mos përgjigjeni si Blendi Fevziu, që gati më rrahu në studio, që do më lejoni 60 sekonda…”.
Fiori Dardha: “Nuk kam dorë, ju siguroj.”
Arlind Qori: “60 sekonda pa ndërprerje, dakord? Pastaj mund të komentoni ju. Është e vërtetë që unë kam marrë ftesa të vazhdueshme nga Top News dhe ju falënderoj, dhe ju kam falënderuar sa herë më keni ftuar në studio, mirëpo Top News nuk ka të njëjtin impakt si Top Channel”.
Fiori Dardha: “Top Channel dhe Top News ka të njëjtit pronar”.
Arlind Qori: “Po mirë më dakord.”
Fiori Dardha: “Është e njëjta media, Top Media, dhe kanë të njëjtën linjë editoriale për censurimin tuaj apo të dikujt tjetër dhe nuk ka ndodhur asnjëherë.”