Masakra në Laç, ndërron jetë në spital 24-vjeçari

Ka marrë përmasa tragjedia, masakra që ndodhi të shtunën në Laç. Mësohet se ditën e sotme ka ndërruar jetë në spital 24-vjeçari G. Bitri që fillimisht kishte mbetur i lënduar.
Kujtojmë se nga kjo ngjarje janë të plagosur edhe 4 persona të tjerë. Mes tyre edhe një grua, krejt e pafajshme, që gjendej aty për të shitur qirinj.
Në lidhje me ngjarjen u arrestuan autorët Daniel Gjeloshi, 27 vjeç dhe Klevis Ndreca 28 vjeç, të cilët dhe kanë shtënë me armë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mes të ditës pas një konflikti mes të rinjve i cili kishte nisur që prej mbrëmjes të së premtes. Teksa të rinjtë kanë zbritur nga Kisha e Laçit, ka pasur një përplasje të vogël mes automjetesh dhe më pas ata kanë debatuar me njëri-tjetrin. Debat që ka agravuar në breshëri të shtënash në mes të rrugës.
Një armë u gjet e hedhur disa metra më tutje në një pellg uji, e cila dyshohet të jetë ajo e përdorur në rastin kriminal. Pas ngjarjes, të plagosurit u dërguan në Spitalin e Traumës për kujdes mjekësor, mes tyre dhe një shitëse ambulante e pafajshme e cila ndodhej në vendngjarje dhe u kap nga plumbat qorrë. Mësohet se ajo kishte ndërhyrë për të neutralizuar të rinjtë./thashethemet.com