Parandalohet sulmi në koncertin e Lady Gaga

Policia braziliane ka parandaluar një sulm me bombë të planifikuar në koncertin e Lady Gaga-s në plazhin Copacabana në Rio de Janeiro të shtunën ku morën pjesë rreth 2 milionë persona.
Policia e shtetit të Rio de Janeiros bëri të ditur se të dyshuarit kishin rekrutuar pjesëmarrës në koncert për të kryer sulmin duke përdorur eksplozivë.
Personi përgjegjës për planin dhe një adoleshent u arrestuan. Policia tha se grupi që planifikoi sulmin kishte përhapur gjuhë urrejtjeje, kryesisht kundër fëmijëve, adoleshentëve dhe komunitetit LGBT.
Ministria e Drejtësisë tha se të dyshuarit e kishin identifikuar veten si fansa të Lady Gaga-s dhe ishin të njohur gjerësisht si “Përbindëshat e Vegjël”.