Mbyllet fushata, nesër Shqipëria zgjedh qeverinë e ardhshme

Fushata zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë u mbyll më 9 maj, duke i lënë vendin heshtjes zgjedhore. Më 11 maj, mbi 3.7 milionë shqiptarë do të drejtohen drejt kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetë, me një formulë të re zgjedhore dhe lista të hapura e të mbyllura.
Për herë të parë, diaspora merr pjesë në procesin zgjedhor, me 245,935 emigrantë shqiptarë të regjistruar për të votuar. Ndërsa procesi i votimit fillon nesër në orën 07:00, ai do të përfundojë në orën 19:00, me mundësinë që qendrat të mbeten të hapura përtej orarit në rast të fluksit të votuesve.
Fushata u mbyll me ngjarje të veçanta: PS organizoi aktivitetin përmbyllës në Parkun Olimpik, ndërsa PD-ADSHM në Bulevardin e Ri, të dyja në Tiranë. Ndërsa klima politike ishte e qetë, me fokus më shumë në mesazhe elektorale dhe video-mesazhe, pati edhe akuza për presione dhe blerje vote, të cilat po hetohen nga Task-Forca për krimet zgjedhore.
Kandidati i PS, Edi Rama, njëkohësisht kryeministri aktual, kërkon një mandat të katërt, ndërsa PD dhe aleatët kërkojnë ndryshim për katër vitet e ardhshme. Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, do të kërkojë votën nga qelia e paraburgimit, ndërsa partitë e reja po synojnë vende në Kuvend, duke sfiduar PS-PD-në.
Në këtë proces, të gjithë janë të angazhuar për të garantuar një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me vëzhgimin e OSBE-ODIHR dhe monitorimin e afërt nga faktorët ndërkombëtarë./thashethemet.com