Close
Lajme

ZGJEDHJE TË REJA, AVAZ I VJETËR

ZGJEDHJE TË REJA, AVAZ I VJETËR
  • PublishedMay 14, 2025

Nga Gramoz Pisha

Zgjedhjet e 11 Majit i dhanë për herë të katërt mandatin Edi Ramës. Në një demokraci të brishtë si kjo e jona, ky është një lajm i keq, por dalja e rezultatit, përveç fituesit, tregoi se nisi avazi i vjetër.

Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve. Edhe pse përpara 11 Majit pati deklaruar se do mbrojnë çdo votë, sot tha se më 16 Maj opozita do të protestojë.

Kjo protestë do të jetë paqësore, tha ai. Arsyeja? Që bota të njohë krimin elektoral që është kryer në Shqipëri. Jo më kot, pasi do zhvillohet ditën që në Tiranë do të zhvillohet samiti i Komunitetit Politik Europian.

“Kjo parti nis betejën për votën e lirë të shqiptarëve”, tha Berisha në një deklaratë ndër të tjera.

Kjo fjali na kujton një tjetër, atë të Lulzim Bashës, pasi humbi zgjedhjet në vitin 2021. Asokohe ajo deklaratë nisi me të vërtetë një betejë. Jo atë me qeverinë, por brenda PD-së, duke e çuar në këtë gjendje që është sot.

A paralajmëron ky qëndrim i Berishës një tjetër betejë brenda partisë? Kjo mbetet për t’u parë.

“Këtë betejë ai që e nisi do e bitisi”, tha Berisha kur u pyet nëse luftën për votën e lirë do e udhëheqë ai apo një lidership i ri.

Zgjedhjet mund të ishin të reja, por avazi vijoi njësoj. PS-ja fitoi për të katërtën herë e PD-ja nis luftën për zgjedhjet.

Ndoshta lajmi i mirë i këtyre zgjedhjeve janë partitë e reja, jo për mandatet që morën, por për numrin e qytetarëve që i votuan. Megjithatë, beteja e tyre do tregojë në katër vitet e ardhshme do tregojë nëse kanë këllqe për ta ndryshuar avazin e vjetër!