Luan Baçi pranon humbjen në Fier: Ndjesë demokratëve!

Fier, 15 maj 2025 – Pas rezultatit zhgënjyes të zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Fierit, Luan Baçi, ish-drejtues i Partisë Demokratike në këtë qark, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka pranuar hapur humbjen dhe ka kërkuar ndjesë ndaj demokratëve.
Baçi, i cili më herët ishte spostuar nga Gazment Bardhi, shprehet se drejtuesit lokalë nuk ia dolën të ishin në nivelin e sakrificës dhe kontributit të bazës së partisë.
“Mirënjohje, respekt dhe falënderim me gjithë zemër për qindra e mijëra demokratët e thjeshtë që nuk u tërhoqën kurrë, nuk ndaluan asnjëherë së kontribuari dhe nuk kërkuan asgjë në këmbim të punës së tyre vetmohuese”, shkruan Baçi.
Ai ka adresuar një falënderim të veçantë për strukturat lokale të PD-së në Hamili dhe Dërmenas, si dhe për të gjithë anëtarët dhe mbështetësit që ndihmuan në fushatë.
“Shumë ndjesë të dashur demokratë, që nuk mundëm të ngrihemi në nivelin e punës dhe performancës tuaj, dhe ta bëjmë detyrën ashtu si ju”, vijon më tej ai në reagimin e tij./thashethemet.com