Misteret e nëndheshme të Vatikanit

Vatikani, shteti më i vogël në botë, fsheh në thellësi një nga arkivat më të mëdha dhe misterioze që ekzistojnë – Arkivat Apostolike. Të themeluara në vitin 1612 nga Papa Paolo V, arkivat ruhen në një bunker 20 metra nën tokë dhe shtrihen në një rrjet prej 85 kilometrash raftesh, që përmbajnë miliona dokumente, dorëshkrime, pergamena dhe akte zyrtare që mbulojnë më shumë se 12 shekuj histori.
Edhe pse termi “sekret” në origjinë nënkuptonte “privat për Papën”, kjo hapësirë ka ngjallur gjithnjë imagjinatën publike për shkak të natyrës së saj të kufizuar. Sot, vetëm studiues të përzgjedhur nga e gjithë bota mund të kenë akses të pjesshëm në këtë pasuri të jashtëzakonshme.
Brenda tyre ruhen dokumente nga të gjitha kontinentet, përfshirë procesin ndaj Galileo Galileit, të dhëna për Templarët, si dhe zarfe të mbyllura që nuk mund të hapen kurrë, përveçse me urdhër të Papës.
Pavarësisht emërtimit të ri që Papa Françesku i dha në vitin 2019 – Arkivi Apostolik i Vatikanit – aura e misterit qëndron ende. Arkivat mbeten një nga qendrat më të rëndësishme të kërkimit historik në botë dhe një burim i pashtershëm i sekreteve të historisë njerëzore./thashethemet.com