Parashikime alarmante për ngrohjen globale: Rritet rreziku për rekorde të reja të nxehtësisë

Ka 80% mundësi që gjatë pesë viteve të ardhshme të thyhet të paktën një rekord vjetor i temperaturave globale, sipas një raporti të ri nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO). Kjo rrit rrezikun për thatësira ekstreme, përmbytje dhe zjarre masive në pyje.
Për herë të parë, të dhënat tregojnë se para vitit 2030 mund të ndodhë një vit ku temperatura mesatare globale të jetë 2°C më e lartë se në periudhën paraindustriale — një skenar që shkencëtarët e përshkruajnë si “tronditës”.
Këto gjetje vijnë pas dekadës më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë dhe nënvizojnë rrezikun e madh që i kanoset shëndetit të njerëzve, ekonomive dhe natyrës nëse nuk ndalojmë djegien e naftës, gazit, qymyrit dhe drurëve.
Raporti thotë se ka 70% gjasa që temperatura mesatare globale për periudhën 2025-2029 të jetë mbi 1.5°C në krahasim me epokën paraindustriale — një prag ky që përbën synimin më ambicioz të Marrëveshjes së Parisit për klimën.
Po ashtu, sipas raportit, ka 86% mundësi që në të paktën një nga pesë vitet e ardhshme të kalohet pragu i 1.5°C. Për krahasim, në vitin 2020 kjo mundësi ishte vetëm 40%.
Në vitin 2024, për herë të parë, u tejkalua ky kufi për një vit të plotë — diçka që para vitit 2014 as që ishte menduar si e mundur. Viti i kaluar u shpall zyrtarisht më i nxehti në 175 vjet.
Megjithëse gjasat janë vetëm 1%, raporti i fundit tregon se edhe një vit me ngrohje 2°C përpara 2030-s nuk është më i pamundur. Për këtë do të duhej një përkim i disa faktorëve ekstremë klimatikë, si El Niño dhe ndryshime të fuqishme atmosferike.
“Është tronditëse që 2°C është tashmë e mundshme,” tha Adam Scaife nga Met Office.
Ndikimet nuk do të shpërndahen njësoj: dimrat në Arktik pritet të ngrohen 3.5 herë më shpejt se mesatarja globale, Amazona do përballet me më shumë thatësira, ndërsa Azia Jugore, Saheli dhe pjesë të Evropës veriore — përfshirë Britaninë — do përjetojnë më shumë reshje.
Sipas Leon Hermanson nga Met Office, viti 2025 pritet të jetë një nga tre vitet më të nxehtë ndonjëherë.
Chris Hewitt nga WMO tha se situata përbën “një pamje shqetësuese” për valët e të nxehtit dhe shëndetin njerëzor, por theksoi se nuk është vonë për të vepruar.
“Duhet të marrim masa për klimën,” tha ai. “1.5°C nuk është e pashmangshme.”/thashethemet.com