Akuza, përplasje dhe tension në Kuvend (VIDEO)

Seanca e parë plenare në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit u dominua nga përplasjet e ashpra mes Partisë Demokratike dhe mazhorancës socialiste. Demokratët e nisën seancën me akuza të forta, duke e quajtur procesin zgjedhor një “farsë elektorale” dhe duke fajësuar Partinë Socialiste për bashkëpunim me krimin e organizuar.
Në më pak se 15 minuta, Gazment Bardhi dhe Sali Berisha sulmuan direkt deputetët e PS. Bardhi e cilësoi kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, si “përfaqësuese të Xhabaftëve në Kuvend”, ndërsa Berisha akuzoi socialistët për përdorim të bandave kriminale për të fituar zgjedhjet. Ai përmendi edhe deputetin Arkend Balla, që sipas tij ka marrë mijëra vota në mënyrë të dyshimtë nga zona të kontrolluara nga krimi.
“Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, kartelet e drogës sjellin në këtë parlament 28 deputetë… për të blerë votat me drogë, kreu juaj firmosi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis”, deklaroi Berisha.
Përplasja verbale vazhdoi edhe pasi Spiropali i ndërpreu fjalën Berishës për shkak të përfundimit të kohës. “Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar,” u përgjigj ajo, duke provokuar edhe më tej tensionin në sallë.
Nga ana e mazhorancës, i vetmi që reagoi ishte Niko Peleshi. Ai “ngushëlloi” demokratët për humbjen dhe u kërkoi kolegëve të përqendrohen në punën parlamentare. “Jemi në parlament, jo në cirk”, u shpreh ai, duke shtuar se deri në fund të korrikut planifikohen disa seanca intensive për të miratuar rreth 30 akte të rëndësishme.
Seanca u mbyll mes polemikash, me Spiropalin që iu drejtua sërish Berishës: “S’mund të vish këtu pas humbjes tënde turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin.”
As në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk pati dakordësi, pasi Partia Demokratike kundërshtoi kalendarin e propozuar të punimeve, duke e cilësuar edhe atë si pjesë të “manipulimit” të mazhorancës./thashethemet.com