Dëshmia e Alibej mund të zbardhë vrasjen e avokatit të njohur në Elbasan

Një dëshmi disaorëshe e të penduarit të drejtësisë Erion Alibej në GJKKO për “Plumbin e Artë”, ka rikthyer në vëmendje vrasjen e avokatit Ravik Gurra në 2019. Alibej përmendi emra të fortë si Suel Çela dhe Klodian Çopja, duke deklaruar se Çopjat qëndrojnë pas atentatit.
SPAK nuk ka ende një të akuzuar për ngjarjen, por burime thanë për Report Tv se dëshmia ka dhënë indicie të reja dhe po verifikohen komunikimet në aplikacionin SKY ECC, të cilat konsiderohen si “minierë informacioni”.
Alibej tregoi gjithashtu se në kohën e masakrës së Bradasheshit, ku iu vranë vëllai dhe xhaxhai, ndodhej në kërkim, por policia nuk e arrestoi dhe madje i ofroi marrëveshje për të dhënë informacion. Ai përmendi emra si Altin Qato dhe Niko Brahimaj, ndërsa akuzoi edhe drejtues të tjerë se ishin të lidhur me grupe kriminale.
“Ditën që do përcillja familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Niko Brahimaj ishte drejtues i Departamentit për Krimet e Rënda. Unë isha në kërkim dhe më vijnë disa efektivë civilë, më thanë ‘hajde të deklarosh dhe do të lirojmë sërish të jesh afër familjes’. Shkova, ishte Qato, Brahimaj dhe shefi komisariatit të cilin e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë ‘nuk e dua këtë këtu’, e nxorën jashtë. Më thanë e ‘dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion te kush dyshon’. I thashë ‘do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv, nuk di ku t’ju drejtoj’. Siç ma dhanë fjalën që do përcillja familjarët në banesën e fundit, më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë ‘bën mirë të ikësh nga ky qytet’”, tha para trupës gjykuese Erion Alibej.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të verifikuar jo vetëm dëshminë, por edhe rolin e mundshëm të drejtuesve të policisë në fshehjen e fakteve. /thashethemet.com
