Close
Lajme

Ukraina dhe Rusia larg marrëveshjes së paqes, por bien dakord për diçka

Ukraina dhe Rusia larg marrëveshjes së paqes, por bien dakord për diçka
  • PublishedJune 2, 2025

Raundi i dytë i bisedimeve direkte për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë përfundoi pa ndonjë përparim të madh, me të vetmen marrëveshje për të shkëmbyer robër lufte.

Delegacioni ukrainas tha se Rusia e kishte refuzuar sërish një “armëpushim të pakushtëzuar”, që është kërkesa kryesore e Kievit dhe aleatëve të tij në Europë dhe SHBA. Nga ana tjetër, pala ruse propozoi një ndalim të përkohshëm të luftimeve prej dy deri në tre ditë në disa zona të vijës së frontit, pa dhënë më shumë detaje.

Takimi i mbajtur në qytetin turk të Stambollit zgjati pak më shumë se një orë. Palët u dakordësuan vetëm për shkëmbimin e të gjithë robërve të sëmurë, të plagosurve rëndë dhe atyre nën moshën 25-vjeçare.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, theksoi se Ukraina ka dorëzuar propozimet e saj për një armëpushim të plotë prej të paktën 30 ditësh në tokë, det dhe ajër, me qëllim ndaljen e vrasjeve. Ai shtoi se Rusia nuk kishte paraqitur ndonjë plan konkret deri në momentin e takimit në Stamboll.

Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Serhiy Kyslytsia, deklaroi se Rusia ka refuzuar qartazi çdo armëpushim të pakushtëzuar. Ukraina gjithashtu i dorëzoi Rusisë një listë me qindra fëmijë që, sipas saj, janë dërguar me forcë në territorin rus.

Përfaqësuesit ukrainas thanë se presin përgjigjen ruse për propozimet e tyre deri në fund të qershorit, duke shtuar se duhet përgatitur terreni për një takim mes Presidentit Volodymyr Zelensky dhe Presidentit Vladimir Putin. Por deri tani nuk ka shenja për një takim të tillë.

Nga ana tjetër, shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, konfirmoi se do të shkëmbehen robërit e sëmurë, të plagosurit rëndë dhe ata nën 25 vjeç, pa dhënë një datë se kur do të ndodhë kjo. Ai gjithashtu deklaroi se Rusia do t’i dorëzojë Ukrainës trupat e 6,000 ushtarëve ukrainas gjatë javës së ardhshme.

Rusia ka hedhur poshtë çdo ide për një armëpushim të pakushtëzuar, duke insistuar në një “paqe të qëndrueshme” dhe duke përsëritur kërkesa të ashpra që Kievi dhe aleatët e tij i cilësojnë si një formë kapitullimi.

Tekstet zyrtare të propozimeve për armëpushim nuk janë bërë publike, por mediat shtetërore ruse kanë publikuar disa prej kushteve kryesore të Moskës, përfshirë tërheqjen ushtarake të Ukrainës nga katër rajonet pjesërisht të pushtuara, njohjen ndërkombëtare të Krimesë dhe këtyre rajoneve, ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleanca ushtarake, kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase, zyrtarizimin e gjuhës ruse dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti Zelensky, i cili po merrte pjesë në një samit në Vilnius të Lituanisë, theksoi se “derisa Rusia nuk jep sinjale domethënëse për të ndalur luftën, është jetike të forcojmë mbrojtjen tonë”. Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë presion përmes sanksioneve ndaj Rusisë.

Në raundin e parë të bisedimeve më 16 maj, Ukraina dhe Rusia nuk arritën të afrohen për një marrëveshje paqeje, duke rënë dakord vetëm për shkëmbimin e nga 1,000 robërve të luftës.

Presidenti Zelensky dhe liderët europianë e kanë akuzuar disa herë Rusinë se po zvarris negociatat për të fituar më shumë territor. Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë të konfliktit, ka hezituar të vendosë sanksione të forta ndaj Moskës. Në një deklaratë të rrallë muajin e kaluar, Trump e quajti Putinin “krejtësisht të çmendur” pas një sulmi të madh me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës. Kremlini reagoi duke thënë se Trump po tregonte “shenja mbingarkese emocionale”./thashethemet.com