Close
Lajme

Qeveria shqiptare investon 1 miliard lekë në startup-in e Mira Muratit, “Thinking Machines Lab”

Qeveria shqiptare investon 1 miliard lekë në startup-in e Mira Muratit, “Thinking Machines Lab”
  • PublishedJune 3, 2025

Qeveria shqiptare ka vendosur të financojë me 1 miliard lekë startup-in e teknologjisë “Thinking Machines Lab”, të themeluar nga Mira Murati, ish-drejtoreshë teknologjie e OpenAI. Vendimi u bë i ditur nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë një prezantimi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të një ndryshimi në buxhetin e vitit 2025.

Fondet do të alokohen përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim përfshirjen strategjike të qeverisë në këtë nismë të avancuar të inteligjencës artificiale, duke e parë si një hap drejt ndërtimit të një ekonomie të teknologjisë së lartë dhe të lidhur me tregjet globale.

“Thinking Machines Lab” përbëhet nga një ekip prej rreth 30 ekspertësh nga OpenAI, Meta, Mistral dhe Character.AI, përfshirë emra si Bob McGrew dhe Alec Radford, dhe mbështetet financiarisht nga gjigandë të Silicon Valley si Andreessen Horowitz dhe Sequoia Capital.

Sipas qeverisë, investimi është pjesë e një strategjie për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër rajonale të inovacionit, duke ndjekur shembujt ndërkombëtarë në zhvillimin dhe integrimin e inteligjencës artificiale. Startup-i synon të ndërtojë sisteme AI bashkëpunuese që kombinojnë tekst, audio, pamje dhe ndërveprim.

Vlera e parashikuar e kompanisë kap shifrën e 10 miliardë dollarëve, me potencial për të tejkaluar edhe 50 miliardë në të ardhmen. Ndërkohë, qeveria ka theksuar se kjo ndërhyrje nuk prek nivelin e deficitit buxhetor, që mbetet në 68 miliardë lekë siç ishte parashikuar në buxhetin fillestar për 2025./thashethemet.com