Close
Lajme

Vrasja e Liridona Ademajt: Naim Murseli kërkon burgim të përjetshëm nëse provohet fajësia. Do t’i bëhet vlerësim psikiatrik

Vrasja e Liridona Ademajt: Naim Murseli kërkon burgim të përjetshëm nëse provohet fajësia. Do t’i bëhet vlerësim psikiatrik
  • PublishedJune 4, 2025

Vijon në Prishtinë gjykimi për një nga çështjet më të bujshme në Kosovë, vrasjen e Liridona Ademajt.
Bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dhe bashkëpunëtorët e tij, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, u paraqitën më 4 qershor para trupës gjykuese.

Murseli mohoi akuzën dhe u deklarua sërish i pafajshëm.

“Po të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj dënim me burgim të përjetshëm”, tha ai sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë.

Ndërkohë, me kërkesë të avokates së tij, Murselit do t’i bëhet ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës gjatë dy javëve në vijim.

Gjatë seancës së 4 qershorit, avokatja e Murselit shprehu keqardhjen në emër të klientit të saj për humbjen tragjike të Liridona Ademajt.

Sipas saj, nuk ka prova të drejtpërdrejta që provojnë se Murseli ka kryer apo urdhëruar kryerjen e vrasjes. Ajo theksoi në gjyq se nuk ekziston lidhje logjike mes të pandehurit dhe veprës penale, pasi argumentet e Prokurorisë nuk e tejkalojnë nivelin e dyshimit.

Prandaj, për avokaten Teuta Zhinipotoku, mungesa e një motivi të qartë e bën të pambështetur dhe të cenueshme juridikisht akuzën për vrasje të rëndë.

Ndërkohë, Prokuroria u shpreh në gjyq se janë të bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Ndërsa përfaqësues të palës së dëmtuar, pra familjes së Liridona Ademajt, thanë se presin që gjykimi t’u japë përgjigje shumë dilemave, e mbi të gjitha të vërtetës se pse Liridona Ademaj u vra në mënyrë aq dinake.

Avokati Leutrim Syla tha se beson se do t’i jepet përgjigje edhe pyetjes së babait të tani të ndjerës Liridona Ademaj: “Pse, Naim, ti munde të dalësh me fëmijët nga vetura, e Dona mbeti e fundit?”, pyetjes së fëmijëve të Liridonës: “Pse babi e la hajnin me ia ba nanës bam?”, pyetjes së nënës së Liridonës: “Pse s’kam me pa ma Liridonën?”, pyetjes së Leonardit: “Pse Naimi po mundet aq qetë me ju bërtitë fëmijëve atë natë, e një ditë më vonë me u ushqy në Swiss Diamond si mos me ndodh asgjë?”.

Syla tha se pret që të qartësohet edhe fakti se pse ishte e nevojshme që Murseli ta takojë Kokallën në një qendër në Gjakovë, ditën e vrasjes.

Po ashtu, edhe fakti që, pavarësisht se Kokalla kishte deklaruar se takimi kishte qenë i shkurtër dhe kishte refuzuar bashkëpunimin, Naimi kishte komunikuar me Granitin, duke i thënë se “kjo punë duhet të kryhet”.

Po ashtu, tha se presin të sqarohet se pse Naimi kishte shkuar bashkë me Plavën të blejë armë, të cilën e pagoi vetë Murseli dhe ia dorëzoi atij, dhe shkuan deri te vendi i ngjarjes.

Trupa gjykuese vendosi që seancat pasardhëse do të mbahen më 2, 3 dhe 14 korrik 2025.

Kujtojmë se Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë.
Fillimisht, krimi u raportua si një “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë u arrestuan dy persona, mes tyre dhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës.

Të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person tjetër i cili e ka pranuar akuzën.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës, ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës.

I akuzuari tjetër, sipas organit të akuzës, është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast./thashethemet.com