Close
Sport

Shqipëri–Serbi, sfida që ndez Tiranën: Italia jep drejtësi në duelin e zjarrtë për Botërorin 2026

Shqipëri–Serbi, sfida që ndez Tiranën: Italia jep drejtësi në duelin e zjarrtë për Botërorin 2026
  • PublishedJune 5, 2025

Kombëtarja shqiptare e futbollit zbret në fushë të shtunën, më 7 qershor 2025, në orën 20:45, përballë Serbisë, në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës. Kjo përballje është pjesë e ndeshjeve të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës “FIFA World Cup 2026”.

Për këtë duel me ngarkesë të lartë sportive dhe emocionale, UEFA ka vendosur t’i besojë drejtësinë një trupe arbitrash nga Italia. Kryesor do të jetë Davide Massa, një nga emrat më të njohur në Serie A, i cili do të asistohet nga Filippo Meli dhe Ciro Carbone. Arbitër i katërt do të jetë Fabio Maresca, ndërsa në sistemin VAR do të shërbejnë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.

Davide Massa nuk është i panjohur për Shqipërinë, pasi e ka gjykuar kombëtaren tonë më 16 nëntor 2015, në një miqësore kundër Gjeorgjisë që përfundoi 2-2, e zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.

Për kuqezinjtë, kjo është ndeshja e tretë në këtë fushatë kualifikuese. Pas një humbjeje ndaj Anglisë dhe një fitoreje ndaj Andorrës, skuadra e trajnerit Sylvinho kërkon fitoren për të qëndruar në garë për një vend drejt “Botërorit 2026”. Serbia, nga ana tjetër, vjen në këtë ndeshje pas angazhimeve në Ligën e Kombeve dhe sfida në Tiranë do të jetë e para për ta në Grupin K.

Ndeshja pritet me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për historinë mes dy vendeve. Atmosfera në “Arenën Kombëtare” pritet të jetë elektrizuese, ndërkohë që masat e sigurisë janë të shtuara për të garantuar një aktivitet pa incidente./thashethemet.com