Shqiptarët pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës, 28 të arrestuar në megaoperacionin “Anemone”

Një rrjet i madh kriminal i përbërë nga pjesëtarë të ‘Ndranghetës italiane dhe bashkëpunëtorë shqiptarë është goditur nga një megaoperacion i Karabinierëve të ROS-it në Itali. 28 persona janë arrestuar, përfshirë edhe shtetas shqiptarë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, tortura dhe armëmbajtje pa leje. Organizata kishte bazën kryesore në zonën San Basilio të Romës dhe kishte ndërtuar një aleancë të qëndrueshme me një strukturë kriminale shqiptare.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Romës, organizata drejtohej nga një 57-vjeçar kalabrez, figurë e njohur e ‘Ndranghetës, i cili kishte vendosur kontrollin në Romë që nga fillimi i viteve 2000. Ai kishte përfshirë edhe tre djemtë e tij në rrjet dhe kishte ngritur lidhje të forta me një grup kriminal shqiptar. Shqiptarët kishin rol kyç në logjistikë: ata merreshin me nxjerrjen e drogës nga portet spanjolle dhe holandeze, transportin dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të Romës.
Operacioni i koduar “Anemone” zbuloi një trafik të sofistikuar të kokainës dhe hashashit, me origjinë nga Amerika e Jugut, e cila arrinte në Europë përmes porteve të Spanjës, Roterdamit dhe Gioia Tauros. Në total janë sekuestruar mbi një ton kokainë dhe gati 1.5 ton hashash.
Hetuesit zbuluan gjithashtu një rast tronditës torture mafioze ndaj një shpërndarësi droge, i cili u rrëmbye dhe u dhunua rëndë. Pamjet e torturës u regjistruan me celular për të trembur dhe nënshtruar shpërndarësit e tjerë në territorin e tyre.
Një rol të rëndësishëm në rrjet kishte edhe një 46-vjeçar shqiptar që drejtonte një qendër teknologjike në Romë, ku siguroheshin pajisje të sofistikuara për komunikim të koduar, që i ndihmonin anëtarët e organizatës të shmangnin përgjimet e policisë.
Falë bashkëpunimit ndërkombëtar, u arrit të arrestoheshin në Spanjë edhe pesë shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Ky operacion konfirmon përfshirjen gjithnjë e më të madhe të grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të drogës, si partnerë strategjikë të mafies italiane, me rol të veçantë në transportin, shpërndarjen dhe përdorimin e teknologjive të sofistikuara për të shmangur zbulimin nga autoritetet./thashethemet.com