Mblidhet Kuvendi i Burrave në Theth

Ndërsa IKMT vijon shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, atmosfera në ditën e 7 të aksionit është më e qetë, por tensioni mbetet i pranishëm. Deri tani janë shembur rreth 70 objekte, kryesisht bujtina, ndërsa forcat e policisë qëndrojnë në terren për të shmangur përplasjet me banorët.
Paralelisht me aksionin, përpara Kishës simbol të Thethit, është mbledhur një takim simbolik që rikujton “Kuvendin e Burrave”. Dhjetëra banorë, të ulur këmbëkryq në tokë, kanë diskutuar situatën, duke kërkuar ndalimin e prishjeve dhe një dialog të hapur me qeverinë. Ata kërkojnë të kuptojnë se si mund të legalizojnë ndërtimet dhe të përfshihen në paketën e turizmit malor.
Ndërkohë, prifti i zonës ka bërë thirrje për qetësi dhe dialog, ndërsa Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka dalë publikisht në mbështetje të banorëve dhe kundër prishjes së bujtinave, duke e lidhur çështjen edhe me mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë.
Nga ana tjetër, strukturat e bashkisë po punojnë për pastrimin e inerteve, për të ruajtur imazhin e zonës në këtë sezon turistik, teksa Thethi po vizitohet nga dhjetëra të huaj çdo ditë.