Close
Lajme

Edi Rama mbështet hetimin ndaj “Bankers Petroleum”: I detyrohet shtetit 240 milionë euro

Edi Rama mbështet hetimin ndaj “Bankers Petroleum”: I detyrohet shtetit 240 milionë euro
  • PublishedJuly 21, 2025

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas hetimeve të Prokurorisë së Fierit ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”. Gjatë një komunikimi virtual me qytetarët më 21 korrik, Rama tha se shteti shqiptar ka fituar një çështje arbitrazhi ndaj kompanisë, e cila sipas tij i detyrohet buxhetit të shtetit 240 milionë euro.

“Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria vepron në mënyrë të pavarur. I heq kapelen për këtë hetim dhe uroj të zbardhë të gjitha prapaskenat në një kompani që ka krijuar shumë probleme që nga koha kur iu dha koncesioni”, tha ai.

Rama theksoi se nuk ka asnjë konflikt personal me drejtuesit e kompanisë, por se çështja lidhet me transparencën dhe përgjegjësinë fiskale.

Hetimet ndaj “Bankers Petroleum” kanë nisur që në dhjetor 2024, ku sipas Prokurorisë së Fierit janë zbuluar skema mashtruese me TVSH-në dhe fshehje të të ardhurave. Janë arrestuar 9 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas organit të akuzës, kompania ka tregtuar mbi 532 miliardë lekë karburant, por ka raportuar humbje prej 11.7 miliardë lekësh në 20 vitet e fundit, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik për shtetin shqiptar./thashethemet.com