A udhëton dot në SHBA? Sali Berisha: E vërteta vonon, por nuk harron

Kryedemokrati Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp pas qëndrimit të DASH të publikuar nga një gazetar amerikan nëse lideri opozitar mund të udhëtojë drejt SHBA-së.
Berisha u shpreh se DASH bëri të qartë se nuk mbështet vendimet politike të administratës Biden për Berishën.
Ai falenderoi Sekretarin amerikan të Shtetit dhe presidentin Trump për këto qëndrime, duke i quajtur, jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politizuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën. Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, George Soros dhe Antoni Blinken. Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin. Me këtë rast, unë falenderoj DASH, sekretarin Rubio, administratën e re dhe presidentin Trump për këto qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të ekstremit të majtë, kundër vendimeve të forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë. Ky vendim është gjithashtu një shpërblim i madh për të gjithë ata demokrate e demokratë që në kushtet më të pazakonta qëndruan për kauzën e drejtë, qëndruan për të vërtetën, e cila vonon, por nuk harron. Ky vendim nxjerr edhe njëherë para shqiptarëve dhe botës, fytyrën e shëmtuar të atyre që morën përsipër një akt të tillë, që vendimet politike të godisnin opozitën konservator në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se qëndrimin e DASH e mori vesh mbrëmë. Ai tha se nuk ka planifikuar një udhëtim drejt Amerikës pasi vendi është edhe në prag të votimeve, por theksoi se “ky vendim nuk humbet vlerën” dhe se “është jashtëzakonisht i çmuar”.
“Unë vendimin e mora vesh mbrëmë, në të njëjtën kohë që e morët vesh dhe ju. Nuk kisha ndonjë plan për udhëtim dhe natyrisht nuk mund të them se do të udhëtoj këto 2-3 ditë sepse janë ditët e kulmit të fushatës. Sigurisht në një kohë më të përshtatshme do kisha shkuar, por ky vendim nuk humbet vlerë, është një vendim jashtëzakonisht i çmuar”, u shpreh Berisha.https://www.youtube.com/embed/M6KF9Tkg2ew?si=hRMqwXeZ0_y8c0ij
I pyetur nëse i është hequr “non grata”, Berisha tha se ajo është konsideruar “vendim politik dhe ky është dënim ndaj atij vendimi”.
Berisha tha se gjatë kësaj kohe nuk ka kërkuar vizë për në SHBA, madje nuk ka kërkuar vizë që kur ka lënë detyrën si kryeministër.
Sipas tij ky qëndrim i DASH mirëpritet nga mijëra shqiptarë. Këtë lëvizje, kryedemokrati e sheh si ftesë për të gjithë që të votojnë PD-në.
“Besoj se është koha të bashkohen dhe të mos votojnë asnjë forcë tjetër përveç PD-së. PD me këtë vendim del se u ndëshkua për motive politike me lobimin e zi korruptiv të Edi Ramës, George Soros dhe të tjerë. Kjo është thirrje për çdo shqiptar”, përfundoi Berisha.
Kujtojmë se Berisha i i referohet gazetarit të atashuar në Shtëpinë e Bardhë, Marc Caputo, i cili ka pyetur DASH, nëse Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA.
“E pyeta DASH për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA”, thotë gazetari Marc Caputo në rrjetin social X.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”, citohet përgjigja e Departamentit Amerikan të Shtetit deklaruar nga gazetari Caputo.
Megjithatë DASH nuk ka reaguar në mënyrë zyrtare.