Close
Lajme

Artan Lame nuk ka ndërruar jetë, Blendi Fevziu: Është në koma cerebrale, lutje të mos përhapet dezinformimi

Artan Lame nuk ka ndërruar jetë, Blendi Fevziu: Është në koma cerebrale, lutje të mos përhapet dezinformimi
  • PublishedMay 22, 2025

Sot në media dhe rrjete sociale qarkulloi lajmi për vdekjen e Artan Lames, ish-drejtor i Kadastrës dhe një figurë e njohur publike. Por gjatë emisionit Opinion, gazetari Blendi Fevziu sqaroi se Lame nuk ka ndërruar jetë, por ndodhet në gjendje kome cerebrale, pas një operacioni të rëndë në zemër.

Fevziu, i prekur emocionalisht, theksoi se ky sqarim vjen me kërkesë të familjes së Lames, për të mos u përhapur një informacion i pavërtetë që prek ndjeshmërinë e publikut dhe dinjitetin e të afërmve.

“Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështira që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personal, një nga njerëzit që jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë, Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij,” u shpreh Fevziu gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në Opinion.

Ai shtoi se Lame ka kryer një ndërhyrje të komplikuar në zemër, pas problemeve shëndetësore të shfaqura prej disa javësh. Fatkeqësisht, pas operacionit, ai nuk është zgjuar më dhe ndodhet në koma cerebrale. Pavarësisht gjendjes tepër të rënduar, ai është ende gjallë.

“Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse… pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëjë këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende.”

Ky rast thekson edhe një herë përgjegjësinë që mbart raportimi mediatik në raste të tilla delikate. Familja e Artan Lames kërkon respekt, përmbajtje dhe lutje në këtë moment të vështirë./thashethemet.com