Close
Lajme

Beogradi zyrtar: BE-ja nuk do të vendosë sanksione pas vizitës së Vuçiçit në Moskë

Beogradi zyrtar: BE-ja nuk do të vendosë sanksione pas vizitës së Vuçiçit në Moskë
  • PublishedMay 11, 2025

Beogradi mohon ndikimin e vizitës së Vuçiçit në Moskë në marrëdhëniet me BE-në

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se vizita e presidentit Aleksandar Vuçiç në Moskë nuk do të sjellë pasoja negative për procesin e integrimit europian të vendit dhe as sanksione nga ana e Bashkimit Europian.

Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Gjuriç theksoi se Serbia pret thellim të bashkëpunimit me Brukselin dhe vizitat e rëndësishme që priten gjatë javës, përfshirë atë të presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, janë dëshmi e këtij kursi.

Ai u shpreh se marrëdhëniet me BE-në nuk do të dëmtojnë politikën e jashtme të balancuar të Serbisë.

Vuçiç vizitoi Moskën më 9 maj, ku mori pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores dhe zhvilloi takim me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022.

Megjithatë, vizita e tij ka ngjallur kritika në Bruksel. Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një vizite të fundit në Beograd, deklaroi se ky hap do ta vështirësojë mbështetjen për orientimin europian të Serbisë, duke theksuar se pjesëmarrja në një ceremoni me Putinin është në kundërshtim me vlerat e BE-së.

Pas takimit me Putinin, Vuçiç u shpreh i gatshëm të përballet me çdo kritikë nga Brukseli, ndërsa theksoi dëshirën për rritjen e shkëmbimeve tregtare me Rusinë./thashethemet.com