Bllokada ndaj Gazës, Franca bën paralajmërimin e ashpër ndaj Izraelit

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se Franca mund të ashpërsojë qëndrimin ndaj Izraelit nëse nuk lejohet ndihma humanitare për Gazën. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Singapor me Kryeministrin Lawrence Wong.
“Bllokada humanitare po krijon një situatë të papranueshme në terren. Nëse nuk ka reagim të duhur në orët dhe ditët në vijim, do të detyrohemi të ashpërsojmë qëndrimin tonë kolektiv,” tha Macron, duke shtuar se Franca mund të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve ndaj vendbanimeve izraelite.
Megjithatë, Macron tha se shpreson që qeveria izraelite do të ndryshojë qasje dhe do të ketë më në fund një reagim humanitar.
Izraeli hoqi pjesërisht një bllokadë 11-javore ndaj ndihmave në Gaza javën e kaluar, duke lejuar hyrjen e ndihmave të kufizuara, një sistem që është kritikuar gjerësisht ndërkombëtarisht.
Macron përsëriti angazhimin e Francës për një zgjidhje politike dhe mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete në konfliktin Izrael-Palestinë, duke theksuar se ekzistenca e një shteti palestinez “nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një domosdoshmëri politike”.
Diplomatët dhe ekspertët thonë se Macron po shkon drejt njohjes së një shteti palestinez, një lëvizje që mund të zemërojë Izraelin dhe të thellojë ndarjet në Perëndim.
Franca dhe Arabia Saudite do të organizojnë një konferencë të Kombeve të Bashkuara nga 17 deri më 20 qershor, ku do të diskutohet një plan për krijimin e shtetit palestinez, duke garantuar edhe sigurinë e Izraelit.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku sipas të dhënave izraelite u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Që nga ajo kohë, mbi 54,000 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza./thashethemet.com