Dosja ndaj Naim Murselit: SMS-të e fshehta dhe tradhtia në Suedi! Dëshmitë që e fundosën

Liridona Ademaj u vra pabesisht nga bashkëshorti i saj më 29 Nëntor të vitit 2023. Ajo që u raportua fillimisht si grabitje me pasojë vdekjen rezultoi komplet ndryshe. Personi që donte vrasjen e saj ishte ai me të cilin ndante shtratin, i shoqi.
E kësisoj, Naim Murseli u vu në pranga. Bashkë me të ndodhen në burg edhe kushëriri i tij Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, i akuzuar si ekzekutori. Prokuroria ka hedhur akuzë edhe ndaj një personi të katërt, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, por bëhet fjalë për njeriun që ka shitur armën që u përdor në krim.
Në lidhje me këtë rast, prokuroria e Prishtinës ka ngritur akuzë ndaj tyre dhe thotë se Naim Murseli ka planifikuar gjithçka dhe atë bashkë me Kokallën e Plavëni quan ekzekutues të drejtpërdrejtë të Liridonës.
Por kush është arsyeja pas këtij krimi makabër? Gazetari Spartak Koka në emisionin e tij “Uniko” ka siguruar dosjen ndaj Naim Murselit. Janë disa dëshmi që tregojnë hap pas hapi se çfarë ndodhi.
Referuar materialeve të prokurorisë thuhet se Naimi dhe Liridona gjatë kohës që jetonin në Suedi kishin marrëdhënie të trazuara martesore, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
Pas datës 25 Qershor 2022 është paguar një policë sigurimi nga ana e Liridona Ademajt me një kompani në Suedi dhe në rast fatkeqësie, humbje jete të saj, trashëgimtarët ligjorë të saj do të fitonin 3 milionë kruna suedeze ose e thënë ndryshe 260 mijë euro. Pas këtij momenti Naim Murseli ia ka treguar planin për vrasjen e të shoqes, kushëririt të tij, Kushtrim Kokalla.
Nga ai ka kërkuar që të gjejë mundësinë për vrasjen e saj. Fillimisht Kokalla ka kundërshtuar, por më pas ka pranuar dhe ka gjetur Granit Plavën për të kryer vrasjen. Së bashku ata janë dakordësuar për të kryer ngjarjen.
Plava do të shpërblehej për krimin me 30 mijë euro. Por ajo që del nga hetimet e prokurorisë është se Naim Murseli kishte borxhe të shumta. Këto borxhe ai i kishte ndaj disa kompanive dhe ndaj personave të tjerë fizikë dhe bëhet fjalë për 500 mijë Euro.
Për këta arsye prokuroria thotë se e ka planifikuar vrasjen e të shoqes për përfitime financiare, konkretisht dëmit që do të merrte nga polica e sigurimit jetësor ndaj Liridona Ademajt.