E qëlluan me armë ndërsa ishte me biçikletë, shqiptari në gjendje kritike për jetën në Itali

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mëngjesin e së dielës, më 8 qershor, në Fontaniva të Italisë, ku një 59-vjeçar shqiptar, Fatos Cenaj, është qëlluar me armë zjarri ndërsa po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 në zonën e “Via Casoni”.
Fillimisht, disa drejtues mjetesh që kalonin aty pranë menduan se bëhej fjalë për një aksident të zakonshëm me biçikletë dhe lajmëruan urgjencën. Por, sapo mbërritën ekipet mjekësore, u kuptua se plagët e Fatosit nuk ishin pasojë e një rrëzimi, por të një plage nga armë zjarri në fytyrë.

59-vjeçari, banor i Fontanivës me origjinë shqiptare, u stabilizua dhe u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet në gjendje shumë të rëndë, me rrezik për jetën. Mjekët po bëjnë gjithçka për t’i shpëtuar jetën.
Menjëherë pas konstatimit të plagës me armë, në vendngjarje mbërritën karabinierët e njësisë hetimore të Padovës. Zona u rrethua për të grumbulluar çdo provë të mundshme që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Të gjitha pistat janë të hapura, përfshirë mundësinë që të jetë qëlluar nga një automjet në lëvizje, ose që dikush mund të ketë përdorur një armë nga shtëpia dhe ta ketë qëlluar gabimisht.

Hetimet po vazhdojnë me intensitet, pasi koha mund të jetë kyçe për zbardhjen e kësaj ngjarjeje misterioze. Autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa disa dëshmitarë janë marrë në pyetje për orë të tëra në komisariat./thashethemet.com
