Ekspertët paralajmërojnë: Dushi me ujë të ftohtë në ditët e nxehta mund të jetë fatal

Ndërsa vala e parë e të nxehtit këtë verë ka përfshirë shumë vende të botës, miliona qytetarë kërkojnë mënyra për t’u freskuar. Por ekspertët paralajmërojnë se një dush i ftohtë mund të jetë më i rrezikshëm se sa mendohet.
Profesori Adam Taylor nga Universiteti i Lancaster-it shpjegon se ekspozimi i menjëhershëm ndaj ujit të ftohtë nuk ndihmon trupin të çlirohet nga nxehtësia, por përkundrazi, i dërgon sinjalin që të ruajë nxehtësinë e brendshme.
Kjo është veçanërisht e rrezikshme për njerëzit me tension të lartë apo probleme kardiake, pasi mund të shkaktojë presion të lartë gjaku, rrahje të çrregullta zemre, madje edhe ndalje kardiake në raste ekstreme.
Kur trupi mbinxehet, ai përdor mekanizma si djersitja dhe zgjerimi i enëve të gjakut në lëkurë për të ulur temperaturën. Por uji shumë i ftohtë i ngushton këto enë gjaku dhe pengon freskimin natyral të trupit.
Në vend që të ndihmojë, uji i ftohtë bllokon qarkullimin e gjakut në sipërfaqe dhe mban nxehtësinë në organet e brendshme, duke rritur rrezikun për dëmtime të organeve në temperatura ekstreme.
Për më tepër, dushi i ftohtë nuk ndihmon as në higjienë: uji i ftohtë është më pak efektiv në pastrimin e djersës dhe yndyrnave të lëkurës, duke shtuar aromën e keqe dhe rrezikun për puçrra.
Ekspertët rekomandojnë që në ditët e nxehta, dushi më i mirë është me ujë të vakët – rreth 26-27°C – i cili ndihmon trupin të ftohet natyrshëm pa e tronditur sistemin e tij të rregullimit të temperaturës.
Nëse keni dëshirë të freskoheni më shumë, bëjeni gradualisht: ulni temperaturën e ujit hap pas hapi ose filloni me njërin krah apo këmbë për të shmangur efektin e “shokut të ftohtit”./thashethemet.com