Close
Lajme

Elon Musk “shpërthen” ndaj Trump dhe projektligjit të tij: I mbushur me favore politike, i neveritshëm

Elon Musk “shpërthen” ndaj Trump dhe projektligjit të tij: I mbushur me favore politike, i neveritshëm
  • PublishedJune 3, 2025

Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj projektligjit më të fundit të Presidentit Donald Trump, duke e quajtur “një abominim të neveritshëm” dhe “të mbushur me favore politike”. Përmes një postimi në X, themeluesi i SpaceX kritikoi ashpër faturën që, sipas tij, “do të rrisë ndjeshëm deficitin buxhetor tashmë gjigant”.

“Ky projektligj masiv, i turpshëm, i tejmbushur me shpenzime të panevojshme, është një abuzim i pastër me taksapaguesit. Turp për të gjithë ata që votuan për të – e dini shumë mirë që bëtë gabim”, shkroi Musk.

Miliarderi i teknologjisë, i cili deri para pesë ditësh ishte pjesë e administratës Trump si punonjës i veçantë qeveritar, e përshkroi faturën si një barrë të pajetueshme për qytetarët amerikanë dhe parashikoi që do të çojë deficitin buxhetor në 2.5 trilionë dollarë.

Ironikisht, Trump e ka quajtur ligjin “një projektligj i madh dhe i bukur”, por Musk refuzoi të përdorte këtë term në reagimin e tij. Ai kritikoi gjithashtu ndikimin që ligji ka në punën e bërë nga Departamenti i Eficiencës Qeveritare, që ai e drejtoi më herët.

Pavarësisht kritikave, Shtëpia e Bardhë ka minimizuar reagimin e Musk. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se presidenti “e di shumë mirë se ku qëndron Musk” dhe se kjo nuk ka ndikuar në vlerësimin e tij për projektligjin. “Ky është një projektligj i madh dhe i bukur, dhe presidenti nuk tërhiqet prej tij,” deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u shpreh: “Me gjithë respektin për mikun tim Elon, ai e ka gabim.”

Projektligji, që parashikon ulje të mëdha taksash dhe ndërprerje të mbështetjes për sektorin e energjisë së pastër, është pjesë e agjendës së gjerë të Trump. Megjithatë, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, ai pritet t’i shtojë borxhit publik rreth 3.8 trilionë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Musk, që ka kontribuar me 290 milionë dollarë për fushatat republikane në zgjedhjet e fundit, ka qenë më parë më i përmbajtur në kritikat e tij. Por deklaratat e fundit përfaqësojnë distancimin më të fortë publik që prej largimit nga administrata.

Në konferencën e fundit të përbashkët në Zyrën Ovale, Trump nuk përmendi kritikat e Musk. Megjithatë, nuk është e qartë nëse marrëdhënia mes tyre do të mbetet e pandryshuar.

Projektligji pritet të debatohet në Senat, ndërsa Trump ka kërkuar që ta nënshkruajë përpara 4 korrikut, duke e cilësuar si një gur themeli të mandatit të tij të dytë. /thashethemet.com