Close
Lajme

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë

Friedrich Merz zgjidhet Kancelar i Gjermanisë
  • PublishedMay 6, 2025

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz u zgjodh Kancelar i Gjermanisë nga parlamenti federal Bundestag në raundin e dytë. 

Në votimin e fshehtë ai mori 325 vota pro dhe në këtë mënyrë 9 vota më shumë se shumica e nevojshme prej 316. Grupet parlamentare të koalicionit CDU/CSU dhe SPD kanë 328 vende në Bundestag.

Suksesi erdhi pasi më parë aleanca CDU/CSU me Socialdemokratët (SPD) pa pritur nuk arriti shumicën e nevojshme absolute për Kancelarin në përpjekjen e parë.

“Ju falenderoj për besimin dhe e pranoj zgjedhjen”, deklaroi Friedrich Merz, pasi u pyet nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner “a e pranon zgjedhjen”.

Pas kësaj, Friedrich Merz udhëtoi në Pallatin Bellevue: Presidenti Frank-Walter Steinmeier i dorëzoi Friedrich Merzit dokumentin e emërimit zyrtar si Kancelar. 

I kthyer në Bundestag, Friedrich Merz bëri betimin si Kancelar mbi tekstin e origjinalit fillestar të Ligjit Themelor, kushtetutës së Gjermanisë, të sjellë posaçërisht në sallë, me këto fjalë: “Unë betohem se do t’ia kushtoj fuqinë time mirëqënies së popullit gjerman, të shtoj dobitë për të, ta mbroj atë nga dëmet, se do të ruaj dhe mbroj Ligjin Themelor dhe ligjet e federatës, se do t’i plotësoj me ndërgjegje detyrimet e mia dhe do të ushtroj drejtësi përballë të gjithëve. Më ndihmo, Zot!”

Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier emëroi zyrtarisht në orën 18 edhe 17 ministrat e qeverisë. Pas betimit të tyre në Bundestag, qeveria e re e Gjermanisë nën Kancelarin Friedrich Merz fillon punën. 

Situatë e papritur paradite

Që votimi për kancelarët në Gjermani është akt me të panjohura, kjo nuk është e re. Këtu ndikon edhe fakti që kandidati për kancelar zgjidhet me votë të fshehtë.

Ish-kancelari i pasluftës Konrad Adenauer u zgjodh në post me vetëm një votë me tepër se shumica e nevojshme absolute.

Vetëm dy vota më tepër se shumica e nevojshme mori atëherë në votimin për kancelar edhe Helmut Kohl. Kjo nuk i pengoi ata ta drejtojnë përkatësisht 14 vjet dhe 16 vjet Gjermaninë.

Por pak orë më parë në Bundestag patëm një sensacion: kreu i CDU-së Friedrich Merz nuk u zgjodh në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar në Bundestag. Në një votim të fshehtë, ai mori 310 vota, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316.

“Deputeti Friedrich Merz nuk mori shumicën e kërkuar prej të paktën 316 votash,” deklaroi Presidentja e Bundestag-ut Julia Klöckner.

“Në përputhje me Nenin 63 (2) të Ligjit Themelor, Kancelari Federal i Republikës Federale të Gjermanisë nuk është zgjedhur.” Sipas Klöcknerit, në votim morën pjesë 621 nga 630 deputetët.