Close
Lajme

Hakmarrja që s’ndalet prej 30 vitesh: Ekzekutohet me breshëri në oborrin e shtëpisë 57-vjeçari në Lezhë

Hakmarrja që s’ndalet prej 30 vitesh: Ekzekutohet me breshëri në oborrin e shtëpisë 57-vjeçari në Lezhë
  • PublishedJune 1, 2025

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Tale në Lezhë, ku një 57-vjeçar është gjetur i vrarë me breshëri plumbash brenda oborrit të shtëpisë së tij. Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza, i cili sipas të dhënave paraprake të Policisë, është qëlluar me armë zjarri teksa po parkonte makinën në oborrin e banesës, sapo ishte kthyer nga turni i natës në minierën e Spaçit, në Mirditë.

Trupi i tij u zbulua nga bashkëshortja rreth orës 05:00 të mëngjesit. Dyshohet se autorët kanë përdorur një armë me silenciator, pasi nuk është dëgjuar asnjë zhurmë në momentin e krimit. Ata kanë përfituar nga errësira dhe i kanë zënë pritë viktimës para portës së shtëpisë.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe nisi hetimet. Janë sekuestruar disa gëzhoja armësh dhe janë shoqëruar persona që mund të kenë dijeni për krimin. Hetimet po përqendrohen në pistën e gjakmarrjes, pasi viktima është pjesë e një familjeje të përfshirë në një zinxhir konfliktesh të përgjakshme që datojnë prej vitit 1994.

Në atë vit u vra Ndue Kaza, ish-shef i krimeve në Rrëshen, në mes të qytetit. Autorët e dyshuar, vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, u arratisën menjëherë pas vrasjes. Në vitin 1997, për hakmarrje, Martin Kaza – vëllai i Ndue Kazës – vrau dy vëllezërit Gjini në Laç, për çka u dënua me 22 vite burg. Ai u arrestua në Londër dhe u ekstradua në vitin 2017.

Konflikti s’ndaloi. Më 28 prill 2024, Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës, u ekzekutua në një lokal shqiptarësh në Bruksel, me plumba në kokë dhe kraharor. Vrasja e sotme e Pjetrit është viktima e tretë në këtë zinxhir hakmarrjeje që ka zgjatur më shumë se tri dekada.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë:
“Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K. po kthehej për në banesë me automjetin e tij”.

Në vendngjarje ndodhen forcat lokale të policisë të mbështetura nga Njësia Speciale Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë. Grupi hetimor është duke punuar nën drejtimin e Prokurorit për identifikimin dhe kapjen e autorëve./thashethemet.com