Instagrami i nxehtë para sfidës: 3 në pranga për shitje biletash të ndeshjes Shqipëri–Serbi”

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Attention”, pas zbardhjes së një skeme të paligjshme shitjeje të biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”.
Hetimet nisën pasi specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare siguruan informacione se në një profil të rrjetit social Instagram, po shiteshin bileta me çmime disa herë më të larta se ato të përcaktuara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FShF).
Si rezultat i operacionit u identifikuan dhe u arrestuan tre shtetas: L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç. Ndërkohë janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy të tjerë: E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar.
Policia ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Autoritetet vijojnë apelimin ndaj qytetarëve që të mos bien pre e spekulimeve dhe të blejnë bileta vetëm në kanalet zyrtare të shpërndarjes, duke shmangur mashtrimet dhe ndëshkimet ligjore./thashethemet.com