Justin Timberlake zbulon diagnozën e sëmundjes “të pamëshirshme”

Justin Timberlake ka bërë një rrëfim të sinqertë për ndjekësit e tij, duke zbuluar se është diagnostikuar me sëmundjen Lyme – një gjendje që ai e përshkruan si “të pamëshirshme dhe rraskapitëse”. Lajmi vjen vetëm një ditë pasi këngëtari 44-vjeçar përfundoi turneun e tij global “Forget Tomorrow”.
Përmes një postimi në Instagram, Timberlake tha: “Teksa po reflektoja mbi këtë turne, doja t’ju tregoja se çfarë po ndodh me mua. Ndër të tjera, kam luftuar me disa probleme shëndetësore dhe jam diagnostikuar me Lyme disease – nuk e them këtë që të më dhimbseni, por për të hedhur dritë mbi sfidat që kam kaluar pas skenave”.
Ai shpjegoi se kjo sëmundje ka qenë rraskapitëse si fizikisht, ashtu edhe mendërisht.
LEXO EDHE: Ndjekësja e akuzoi se i ka dalë emri që u bën qejfin të burgosurve, Efi reagon ashpër
“Kur mora diagnozën, u trondita. Por të paktën kuptova pse ndjehesha me dhimbje të forta nervore apo lodhje ekstreme gjatë performancave. U përballa me një zgjedhje personale: ta ndaloj turin apo të vazhdoj dhe ta përballoj?”, u shpreh artisti.
Vendimi i Timberlake ishte i qartë – të vazhdojë performancat, sepse “gëzimi që më sjell muzika live është shumë më i madh se lodhja momentale që ndjej”. Ai shtoi se ky vendim e ndihmoi të provonte forcën e tij mendore dhe të krijonte kujtime të paharrueshme me fansat.
Në fund, Timberlake theksoi se do të jetë më i hapur për sfidat që po kalon, për të mos u keqinterpretuar nga publiku. Ai premtoi se do të përpiqet të ndihmojë të tjerët që vuajnë nga e njëjta sëmundje. Duke falënderuar fansat, bashkëshorten Jessica Biel dhe fëmijët e tij, ai u shpreh: “Ju jeni zemra dhe shtëpia ime. Po vij tek ju”.
Fansat e përgëzuan menjëherë për sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj muzikës, duke i dërguar mesazhe mbështetëse në komentet e postimit./thashethemet.com