Close
Lajme

Kiev-Tiranë-Hanoi, tre rastet kur u dëmtua imazhi i Macron

Kiev-Tiranë-Hanoi, tre rastet kur u dëmtua imazhi i Macron
  • PublishedMay 27, 2025

Në vetëm tre javë imazhi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron pësoi tre goditje të forta. Në tre kryeqytete, Kievin e Ukrainës, Tiranën e Shqipërisë dhe Hanoin e Vietnamit, Macron u bë kryefjala e lajmeve, por jo për mirë.

Më 11 maj, presidenti Macron ishte në një udhëtim drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit. Në tren, bashkë me të ishte edhe kryeministri britanik Keir Starmer dhe kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz.

E teksa treshja ishte nisur drejt kryeqytetit ukrainas për një lajm të rëndësishëm për Volodymyr Zelensky (të cilin na e zbuloi sot Merz), Macron u bë protagonisti i një teorie konspirative.

Në rrjetet sociale u publikuan video teksa Macron fshihte një objekt të bardhë nga tavolina. E kësisoj nuk munguan komentet që e akuzonin se bëhej fjalë për një dozë kokaine.

Zyra e Macron-it u detyrua të reagonte publikisht dhe akuzoi armiqtë e Francës për përhapjen e lajmeve të rreme duke sugjeruar se ai dhe liderët e tjerë europiane kishin marrë drogë me vete.

Goditja e dytë erdhi më 16 Maj. Presidenti francez ndodhej në Tiranë, kryeqytetin tonë, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian.

E teksa fokusi ishte përqendruar te Ukraina, sërish Macron mori vëmendjen pas takimit me Recep Tayyip Erdoğan. Ajo që nisi si një shtrëngim duarsh, nuk përfundoi edhe aq mirë për Macron. Presidenti turk i kapi gishtin edhe nuk ia lëshoi për disa sekonda, pavarësisht përpjekjes së shefit të Elizesë.

Këto sekonda ishin mjaft të sikletshme për udhëheqësin francez, ndërsa shumë njerëz e kanë lexuar si shprehje pushteti pasi presidenti turk përveçse ia shtrëngoi gishtin, qëndronte edhe ulur.

Madje në Turqi u komentua sikur Macron donte të vendoste superioritetin mbi Erdogan duke i vendosur fillimisht dorën në shpatull, por kjo nuk u lejua nga lideri turk.

E rasti i fundit ndodhi sot në Hanoi. Macron mori një shuplakë nga gruaja e tij dhe gjithçka ndodhi fiks sapo u hap dera e avionit e kamerat ishin përqendruar aty. KLIKO KETU PER VIDEON

Pakujdesi apo diçka e menduar? Vështirë t’i japësh përgjigje. Madje këtë u mundua t’ia jepte vetë Macron, i cili tha se po bënin shaka siç bëjnë gjithmonë në çift.

Ai i ktheu përgjigje kritikëve për të gjitha këto raste. Pavarësisht se pranoi që videot janë të vërteta, tha se mënyra si po interpretohen nuk janë reale, por bëhen për të shmangur vëmendjen nga çështjet e rëndësishme.

Nuk dihet nëse këto video e kanë goditur fort reputacionin e Macron. “Më mirë të flasin keq, sesa të mos flasin fare”, thotë një shprehje që nënkupton se për sa kohë je në qendër të vëmendjes, edhe publiciteti negativ mund të të sjellë përfitime, si pjesë e kuriozitetit nga publiku./tvklan.al