Koreja e Veriut kritikon planin e SHBA-së për “Kupolën e Artë”

Koreja e Veriut ka reaguar ashpër ndaj planit të Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një mburoje të avancuar kundërraketore, të quajtur “Kupola e Artë” (Golden Dome), duke e cilësuar si një projekt që “rrezikon ta kthejë hapësirën kozmike në një fushë të mundshme lufte bërthamore”.
Projekti, që pritet të prezantohet nga presidenti Donald Trump para përfundimit të mandatit të tij, synon të përballojë kërcënimet ajrore të gjeneratës së re ndaj SHBA-së, përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka cilësuar planin si “kulmi i vetëkënaqësisë dhe arrogancës”, sipas raportimeve të mediave shtetërore në Pyongyang. Ajo e akuzon Uashingtonin se është “i fiksuar pas militarizimit të hapësirës” dhe paralajmëron se projekti mund të nxisë një “garë globale të armatimit bërthamor dhe hapësinor”.
Koreja e Veriut e konsideron SHBA-në si armik të saj dhe e ka dënuar vazhdimisht bashkëpunimin ushtarak mes Uashingtonit dhe Seulit.
Sipas analistit të Institutit për Unifikimin Kombëtar të Koresë, Hong Min, Pheniani e sheh “Kupolën e Artë” si një kërcënim të drejtpërdrejtë që mund të dobësojë ndjeshëm aftësitë e saj bërthamore. “Nëse SHBA e finalizon këtë sistem të ri mbrojtës, Koreja e Veriut do të detyrohet të zhvillojë metoda të reja për ta anashkaluar ose për ta çarë atë,” deklaroi ai për agjencinë AFP.
Në vitin 2022, Koreja e Veriut miratoi një ligj që e shpall veten si shtet bërthamor, dhe që atëherë ka testuar disa raketa balistike dhe lundruese. Më herët këtë vit, ajo pretendoi se kishte lëshuar një raketë balistike me rreze të mesme dhe koka hipersonike, duke theksuar se “do të mbajë nën kontroll çdo rival në rajonin e Paqësorit”.
Kina gjithashtu ka reaguar me shqetësim ndaj projektit amerikan. Ministria e Jashtme kineze deklaroi se është “thellësisht e shqetësuar” për “Kupolën e Artë”, të cilën e konsideron me “implikime të forta ofensive”. “SHBA, duke ndjekur një politikë ‘Amerika e para’, synon siguri absolute për veten, në dëm të vendeve të tjera,” theksoi Pekini. “Kjo cenon balancën strategjike dhe stabilitetin global.”
Edhe pse shumë analistë e shohin të domosdoshëm përditësimin e sistemeve mbrojtëse të SHBA-së, disa paralajmërojnë se projekti “Kupola e Artë” mund të përballet me sfida serioze teknike dhe politike.
Një ndër shqetësimet kryesore është kostoja marramendëse. Janë parashikuar fillimisht 25 miliardë dollarë në projektbuxhetin e ri, por vlerësimet sugjerojnë se fatura përfundimtare mund të arrijë deri në 20 herë më shumë gjatë dekadave të ardhshme./thashethemet.com