Macron në Tiranë: Shqipëria në BE deri më 2027 jo një perspektivë, por një realitet

Presidenti i Francës Emmanuel Macron, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, shprehu mbështetje të fuqishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai theksoi se viti 2027 është një objektiv i arritshëm, jo thjesht një shpresë.
“2027 nuk është një perspektivë, por një realitet,” deklaroi Macron, duke shtuar: “Është vendi i Shqipërisë në BE. Dua të shpreh bindjen e plotë për ribashkimin e kontinentit. Shqipëria ka avancuar, ka bërë shumë blloqe kapitujsh të negociatave. Rruga e Shqipërisë është shumë e qartë drejt BE-së.”
Macron vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria dhe theksoi mbështetjen e Francës.
“Franca do jetë krah jush për t’iu shoqëruar në këto reforma, në mënyrë që meritat tuaja të njihen nga të gjithë dhe që axhenda të mbahet”, tha ai.
Presidenti francez falënderoi gjithashtu Ramën për mikpritjen dhe miqësinë mes dy vendeve:
“Faleminderit për mikpritjen dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve tona.”
Ai uroi kryeministrin Rama për mandatin e katërt në krye të qeverisë shqiptare.
“Dua t’ju falënderoj për rizgjedhjen tuaj dhe besimin që morët. Është ky mandat që do na lejojë të vazhdojmë këto axhenda ambicioze.”
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Macron u shpreh se aktualisht “s’ka asgjë të re,” por theksoi nevojën për rifillimin e bisedimeve.
“Kemi kaluar shumë kohë me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Zgjedhja e komunave s’ka qenë e kënaqshme… Unë uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun sepse secili vend është në vështirësi politike e sociale. Është e rëndësishme për të gjithë rajonin.”
Në vijim të vizitës së tij në Shqipëri, Presidenti Macron do të vizitojë së bashku me kryeministrin Rama ish-shtëpinë e diktatorit, tashmë e shndërruar në institucion kulturor, si dhe do të marrë pjesë në forumin ndërkombëtar “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku do të jetë i pranishëm edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump./thashethemet.com