Media zvicerane: Reperi Noizy arrestohet në Zvicër, ndaj tij nis procedim penal

Media zvicerane Watson ka raportuar se reperi i njohur shqiptar Noizy është arrestuar të shtunën, më 5 korrik, në aeroportin e Zyrihut. Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Policisë Kantonale të Zyrihut, e cila njoftoi të hënën (7 korrik) se ndalimi është bërë me kërkesë të Zyrës së Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Sipas Watson, prokuroria ka bërë të ditur të martën (8 korrik) se 38-vjeçari akuzohet për disa vepra penale, pa dhënë detaje të mëtejshme për natyrën e akuzave. Për shkak të hetimit në zhvillim, autoritetet zvicerane nuk kanë zbuluar informacione të tjera.
Gjithashtu, është kërkuar masa e sigurisë ndaj tij në formën e paraburgimit, si veprim parandalues, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Watson thekson se ndaj artistit shqiptar zbatohet parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë. Noizy pritej të performonte në lokalin Rinora 4 në Rumlang, por aktivitetet e tij janë aktualisht pezulluar./thashethemet.com