Close
Showbiz

Në Australi nën hetim për kanabis, Belina Pupa flet për herë të parë

Në Australi nën hetim për kanabis, Belina Pupa flet për herë të parë
  • PublishedMay 25, 2025

Terapistja dhe influencuesja e njohur në rrjetet sociale, Belina Pupa, ndodhet nën hetim në Australi, pasi është vënë nën akuzë për kultivim të bimëve narkotike dhe ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin elektrik.

Sipas autoriteteve australiane, bëhet fjalë për një pronë në zonën Ascot Park, ku gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025 janë zbuluar 43 bimë kanabisi. Pupa është paraqitur në Gjykatën e Magjistratës në Adelaide, por deri më tani nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për akuzat.

Avokatët e saj kanë kërkuar ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht, për të mundësuar udhëtimet ndërkombëtare për arsye profesionale, duke theksuar se ajo ka klientë në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Megjithatë, prokuroria australiane ka kundërshtuar kërkesën për leje daljeje nga vendi.

Në një reagim të dhënë për Dritare Tv, Pupa është shprehur se çështja ka të bëjë me një pronë që ajo e ka dhënë me qira, e cila figuron në emrin e saj. Ajo ka theksuar se aktualisht po bashkëpunon me drejtësinë dhe se nuk mund të japë më shumë detaje për shkak të hetimeve në vijim.

“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet – për arsye hetimesh në radhë të parë, por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar!”, u shpreh Pupa.

Ndërkohë, procesi gjyqësor vijon, dhe mbetet për t’u parë si do të zhvillohet më tej kjo çështje që ka marrë vëmendjen e publikut si në Australi, ashtu edhe në Shqipëri./thashethemet.com