Policia ndërhyn pas konfliktit në Pogradec, 2 të arrestuar, 4 në kërkim

Dhunë në Pogradec, arrestohen 2 persona, 4 të tjerë në kërkim pas sulmit ndaj familjarëve të komisionerit
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në Pogradec ditën e sotme, ku pas një incidenti në një qendër votimi, dhuna është përshkallëzuar edhe jashtë ambienteve zgjedhore.
Policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim katër të tjerë, të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve të një komisioneri zgjedhor.
Sipas Policisë së Korçës, gjithçka nisi pas sulmit ndaj komisionerit E. G. nga shtetasi L. T., brenda qendrës së votimit nr. 3901.
Më vonë, persona të tjerë janë paraqitur pranë banesës së komisionerit dhe kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij.
Në pranga kanë përfunduar A. T., 23 vjeç dhe R. T., 58 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur D. M., E. M., R. T. dhe L. K., të moshave 30–37 vjeç.
Të arrestuarit akuzohen për “Goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së një zyrtari” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të kapur personat në kërkim. Materialet janë dërguar në Prokurori për procedura të mëtejshme./thashethemet.com