Qeveria vendos të fshijë gjobat e 10 viteve të fundit dy ditë para zgjedhjeve

Dy ditë para zgjedhjeve, qeveria shqiptare ka miratuar një vendim për faljen e një sërë gjobash dhe masash administrative të vendosura ndër vite ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Vendimi, i miratuar të premten, parashikon shfuqizimin e të gjitha masave administrative të pa ekzekutuara të vendosura në periudhën 1 Janar 2015 -30 Nëntor 2024.
Falja përfshin gjoba të dhëna nga institucione si Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit, AKU, dhe Inspektorati Shëndetësor.
Këto institucione duhet të përgatisin listat e gjobave të paekzekutuara dhe t’i dërgojnë brenda 30 ditëve në drejtoritë e taksave për t’u fshirë nga sistemi.
Ndër gjobat që falen janë edhe ato të vendosura gjatë pandemisë COVID-19 për shkelje të masave kufizuese, si dhe penalitetet për ndërtime apo ndërhyrje pa leje në zonat rurale për banim apo bujqësi. Përfitojnë gjithashtu edhe subjektet me aktivitet bujqësor apo blegtoral në këto zona.
Në rast se pas afatit 30-ditor një individ apo subjekt rezulton ende me gjobë që përfshihet në këtë falje, ai mund të kërkojë zyrtarisht fshirjen e saj dhe, në rast refuzimi, të ankimojë vendimin në gjykatë./thashethemet.com