Sacchi për sezonin e Milanit: Kaos në merkato, skuadra pa strukturë

Arrigo Sacchi kritikon ashpër Milanin: “Mungon ideja, skuadra është krijuar pa vizion”
Pas humbjes zhgënjyese në finalen e Kupës së Italisë kundër Bolognas, legjenda e stolit kuqezi, Arrigo Sacchi, ka komentuar ashpër situatën aktuale të Milanit në një intervistë për Gazzetta dello Sport.
“Është e dhimbshme të shohësh Milanin në këtë gjendje, sepse unë jam thellësisht i lidhur me këtë klub dhe me tifozët. Kjo nuk është një skuadër,” u shpreh ai.
Sacchi vuri në dyshim drejtimin aktual të klubit, duke e krahasuar me epokën e Silvio Berlusconit: “Atëherë kishte një vizion të qartë: të fitoje duke argëtuar. Sot, nuk shoh asnjë ide konkrete nga drejtuesit”.
Ai kritikoi gjithashtu kaosin në pankinë, duke theksuar konfuzionin me emërimet e trajnerëve: “Fillimisht u synua Lopetegui, më pas kaluan te Fonseca për të qetësuar tifozët. Në fund ia lanë gjithçka Conceiçãos, i cili nuk ka faj, por do të jetë ai që do të paguajë çmimin”.
Në fund, Sacchi u ndal edhe te merkatoja, duke akuzuar drejtuesit për mungesë kriteri në ndërtimin e skuadrës: “Janë bërë blerje pa plan dhe lojtarët nuk përshtaten me njëri-tjetrin. Kështu nuk ndërtohet një stil loje”./thashethemet.com