Shkencëtarët paralajmërojnë: Qindra vullkane të fjetura mund të shpërthejnë së shpejti

Shkencëtarët kanë ngritur alarmin se qindra vullkane aktualisht të fjetura në mbarë botën mund të zgjohen dhe të shpërthejnë me fuqi shumë më të madhe, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një studim i ri nga Universiteti i Wisconsin-Madison në SHBA tregon se shkrirja e akullnajave po krijon kushtet e duhura për shpërthime më të shpeshta dhe më të fuqishme në të ardhmen.
Sipas kërkuesve, rajone si Amerika e Veriut, Zelanda e Re dhe Rusia mund të jenë ndër zonat më të rrezikuara. Studiuesi Pablo Moreno-Yaeger shpjegon se akullnajat e mëdha në sipërfaqe ushtrojnë presion mbi vullkanet, duke i penguar ato të shpërthejnë lirshëm. Por me shkrirjen e akullit si pasojë e ngrohjes globale, ky presion po zhduket.
“Kur akulli tërhiqet, toka ‘çlirohet’, dhe gazrat në magma fillojnë të zgjerohen – kjo krijon kushte për shpërthime më të fuqishme,” tha Moreno-Yaeger.
Studiuesit përdorën metoda të avancuara datimi dhe analizuan kristale në gjashtë vullkane në jug të Kilit, përfshirë edhe vullkanin e fjetur Mocho-Choshuenco. Ata zbuluan se gjatë kulmit të epokës së fundit të akullnajave (rreth 26,000 deri në 18,000 vjet më parë), shtresa të trasha akulli kishin shtypur vëllimin e shpërthimeve, duke lejuar që magma të grumbullohej në thellësi të mëdha deri në 15 km nën sipërfaqe.
Por me shkrirjen e shpejtë të akullit, toka humbi peshën që e mbante të shtypur, gjë që çoi në shpërthime të fuqishme vullkanike.
“Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në Islandë, ku është vërejtur rritje e aktivitetit vullkanik. Edhe kontinente të tjera si Amerika e Veriut, Zelanda e Re dhe Rusia kërkojnë më shumë vëmendje shkencore,” shtoi Moreno-Yaeger.
Sipas tyre, këto shpërthime të mundshme nuk janë vetëm rrezik lokal, por mund të kenë ndikim në klimën globale, përmes lëshimit të gazrave dhe hirit në atmosferë.
Shkencëtarët kërkojnë që këto zona të monitorohen me kujdes, për të parandaluar dhe përgatitur reagime në rast të shpërthimeve të papritura në të ardhmen./thashethemet.com