Close
Sport

Skandal pas funeralit të Diogo Jota

Skandal pas funeralit të Diogo Jota
  • PublishedJuly 5, 2025

Ajo që nisi si një ceremoni e dhimbshme dhe e respektueshme për ndarjen nga jeta të Diogo Jota dhe vëllait të tij, André Silva, përfundoi me një skenë të shëmtuar. Menjëherë pas përfundimit të varrimit në Gondomar, Portugali, autoritetet u detyruan të mbyllin sërish varrezën për publikun pasi vizitorë të papërgjegjshëm nisën të bënin “selfie” pranë varreve të vëllezërve.

Pamjet dhe raportimet nga vendngjarja tregojnë persona që pozonin pranë gurëve të varrit, në disa raste edhe duke buzëqeshur, çka u cilësua nga të pranishmit dhe mediat lokale si një mungesë totale respekti. Ky veprim ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ku shumë komentues e quajtën të “turpshëm” dhe “çnjerëzor”.

Ceremonia e varrimit u zhvillua në kishën “Igreja Matriz de Gondomar” dhe mblodhi emra të mëdhenj nga bota e futbollit si Virgil van Dijk, Bernardo Silva dhe Rúben Neves. Vdekja e dy vëllezërve ndodhi pas një aksidenti tragjik me makinë në Spanjë, ndërsa funeralit iu drejtua edhe një mesazh prekës nga ipeshkvi i Portos, drejtuar bashkëshortes dhe fëmijëve të Jotës.

Por pavarësisht dhimbjes dhe solemnitetit të momentit, zhurma më e madhe tani lidhet me mungesën e respektit nga disa vizitorë, që kthyen një moment zie në një “moment për rrjete sociale”./thashethemet.com