Spanja bën ndryshimin: Orar më i shkurtër pune për punonjësit

Qeveria spanjolle miraton shkurtimin e javës së punës për të rritur produktivitetin dhe mirëqenien
Qeveria e Spanjës ka miratuar një projektligj që parashikon reduktimin e orarit javor të punës nga 40 në 37.5 orë.
Qëllimi është rritja e produktivitetit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës për punonjësit. Projekti tani do të kalojë për shqyrtim në parlament, ku ekipit të kryeministrit Pedro Sánchez do t’i duhet të sigurojë mbështetje për të kaluar ligjin, duke u përballur me sfidën e mungesës së shumicës.
Ky ndryshim pritet të përfshijë rreth 12.5 milion punonjës në sektorin privat, të cilët janë të punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme.
Ministrja e Punës, Yolanda Díaz, e përshkroi këtë hap si një avancim në modernizimin e marrëdhënieve të punës dhe një mundësi për rritjen e kënaqësisë qytetare.
Për momentin, reforma është zbatuar për punonjësit e administratës publike dhe disa sektorë shtetërorë, por ligji i ri do të zgjerohet në fusha si tregtia, mikpritja, ndërtimi dhe industria përpunuese, sektorë kyçë për ekonominë.
Sindikatat kanë mbështetur fuqishëm këtë iniciativë, ndërsa përfaqësuesit e biznesit janë shprehur skeptikë.
Ndryshimi ka ardhur pas eksperimentimeve të suksesshme në disa qytete, përfshirë një projekt pilot në Valencia, ku javë pune katërditore ka sjellë reduktim të stresit dhe një stil jetese më të shëndetshëm për punonjësit./thashethemet.com