Sulmet ajrore të Izraelit shkaktojnë mbi 80 viktima në Gaza

Të paktën 80 palestinezë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një vale të re sulmesh ajrore të ndërmarra nga Izraeli në Rripin e Gazës të enjten.
Spitali Nasser në Khan Younis raportoi se 54 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë vetëm në qytetin jugor, sipas një deklarate për shtyp.
Ndërkohë, Spitali Evropian i Gazës, i vetmi që trajton pacientë me kancer në enklavë, doli jashtë funksionit për shkak të dëmeve të shkaktuara nga bombardimet.
Sipas autoriteteve lokale, sulmet dëmtuan rëndë infrastrukturën, përfshirë sistemet e kanalizimeve, repartet e brendshme të spitaleve dhe rrugët hyrëse drejt institucioneve mjekësore.
Burime mjekësore shtuan se edhe 26 të tjerë u vranë në qytetin e Gazës dhe në pjesën veriore të territorit.
Këto zhvillime ndodhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ushtria do të ndërmarrë një ofensivë të re, “me forcë të plotë”, për të luftuar Hamasin.
Operacionet ushtarake izraelite rifilluan më 18 mars, pas përfundimit të një armëpushimi dy mujor, duke shkaktuar deri më tani 2,876 të vdekur dhe mbi 7,800 të plagosur.
Sipas autoriteteve të shëndetësisë në Gaza, numri total i viktimave palestineze që nga 7 tetori 2023 ka arritur në 53,010.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Basal, akuzoi Izraelin për përdorimin e një politike të zhvendosjes masive dhe përpjekjes për të ushtruar presion përmes sulmeve ndaj zonave të populluara, duke shtuar se mijëra qytetarë kaluan natën jashtë nën kërcënimin e bombardimeve mbi shkolla dhe strehimore.
Ai theksoi gjithashtu se ekipet e emergjencës po pengohen të ndihmojnë viktimat për shkak të shkatërrimit të qëllimshëm të infrastrukturës së Mbrojtjes Civile./thashethemet.com