Thyhet rekordi historik, ja kush është aktorja me më shumë të ardhura në kinematografi

Scarlett Johansson ka hyrë në histori si aktorja kryesore me më shumë të ardhura në botë, pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmit të saj më të ri, “Jurassic Park Rebirth”.
Filmi, që është pjesa e shtatë e sagës së famshme Jurassic Park, debutoi fuqishëm gjatë fundjavës festive të 4 Korrikut, duke arkëtuar 147.3 milionë dollarë vetëm në SHBA dhe plot 318.3 milionë dollarë globalisht.
Ky sukses e çoi totalin e të ardhurave të Johansson nga rolet kryesore në filma në 14.61 miliardë dollarë, duke kaluar emra gjigantë të Hollywood-it si Samuel L. Jackson (14.60 miliardë) dhe Robert Downey Jr. (14.3 miliardë), sipas faqes së specializuar The Numbers.
Çfarë e bën këtë arritje edhe më të veçantë është fakti se ajo e ka arritur këtë rekord me vetëm 36 filma me role kryesore, ndërsa Jackson ka luajtur në 71 dhe Downey Jr. në 45 të tillë. Ajo kryeson edhe për fitimet mesatare për film, me një mesatare prej 405.9 milionë dollarësh për film, shumë më lart se rivalët e saj.
Ndërkohë, në tregun amerikan (SHBA), Jackson mban ende vendin e parë me 5.8 miliardë dollarë, i ndjekur nga Downey Jr. me 5.47 miliardë dhe Johansson me 5.41 miliardë.
Pavarësisht këtij suksesi historik, gara vazhdon. Robert Downey Jr. pritet të rikthehet në Marvel si Doctor Doom në filmin “Avengers: Doomsday” dhe “Avengers: Secret Wars”, çka mund t’i japë atij një tjetër hov në renditje.
Ndërkohë, “Jurassic Park Rebirth” ka nisur një rrugëtim mbresëlënës në kinema, duke pothuajse dyfishuar buxhetin e tij prej 180 milionë dollarësh vetëm në fundjavën e parë.
Në listën e filmave më të suksesshëm të vitit 2025 deri tani qëndrojnë:
- “Minecraft” me $423.9 milionë,
- “Lilo & Stitch” (versioni live-action) me $408.5 milionë,
- ndërsa i vetmi film që ka kaluar 1 miliard dollarë këtë vit është “Ne Zha 2”, një produksion kinez që ka mbledhur 1.89 miliardë dollarë kryesisht në tregun e Kinës.
Sfidat për Jurassic Park do të vijnë javët e ardhshme, ku në radhë janë premiera të mëdha si:
- “Superman” nga Warner Bros., që pritet të nisë me 130-170 milionë dollarë,
- “Smurfs” dhe “I Know What You Did Last Summer” më 18 korrik,
- dhe “Fantastic Four: First Steps” nga Marvel më 25 korrik.
Scarlett Johansson, e njohur dikur për rolet si “simbol seksi”, tashmë ka provuar se është një fuqi e vërtetë kinematografike – dhe e ka bërë këtë në mënyrë të jashtëzakonshme.