Tirana mikpret Evropën: 47 liderë nga kontinenti zbarkojnë në Shqipëri

Shqipëria do të jetë për një ditë e vetmja kryeqendër politike e Evropës, teksa të gjithë sytë e kontinentit janë kthyer nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian që zhvillohet për herë të gjashtë në Tiranë.
Në këtë takim të nivelit të lartë marrin pjesë 47 liderë shtetesh dhe organizatash evropiane, mes të cilëve Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, dhe shumë të tjerë.
Samiti do të zgjasë nga ora 11:00 deri në 18:30, me një agjendë të ngjeshur që përfshin seanca plenare, tryeza tematike dhe takime dypalëshe. Ceremonia e hapjes nis në orën 11:00, ndërsa konferenca e përbashkët për shtyp e mbyll punimet në orën 18:30, ku do të marrin pjesë Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryeministri i Danimarkës, si përfaqësues i vendit pritës të radhës.
🔹 Liderë nga e gjithë Evropa në Tiranë
Delegacionet nisin mbërritjet që në mbrëmjen e 15 majit. Të pranishëm janë liderët e:
- Bashkimit Evropian, përfshirë përfaqësues të Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
- Ballkanit Perëndimor, ku spikat pjesëmarrja e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe liderëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
- Vendeve të BE-së dhe fqinjëve, si Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Polonia, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Austria, Hungaria, Kroacia, Çekia, Sllovakia etj.
📃 Marrëveshje të rëndësishme dhe bashkëpunim rajonal
Gjatë samitit pritet të nënshkruhet një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e shëndetësisë, ndërkohë që në tryezat tematike do të trajtohen çështje kyçe si siguria, integrimi evropian, energjia, migracioni dhe zhvillimi ekonomik.
🛬 Mbërritjet në Rinas: Një delegacion çdo 5-10 minuta
Sipas burimeve zyrtare, Aeroporti i Rinasit pritet të përballojë një fluks të jashtëzakonshëm me mbërritje çdo 5-10 minuta nga delegacione zyrtare, çka e bën këtë ditë një ndër më të ngarkuarat logjistikisht në historinë moderne të diplomacisë shqiptare.
🗓 Axhenda zyrtare e Samitit – 16 Maj 2025:
- 10:00 – Mbërritja e liderëve
- 11:00 – Ceremonia e hapjes
- 11:30 – Foto familjare
- 11:45 – Seanca e parë plenare
- 13:00 – Dreka zyrtare
- 14:30 – Tryeza tematike
- 15:45 – Takime dypalëshe
- 17:30 – Seanca mbyllëse plenare
- 18:30 – Konferencë për shtyp e përbashkët
Ky samit i vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke e konfirmuar si një partnere strategjike për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Evropë./thashethemet.com