Vritet rrugës për punë 48-vjeçari në Tiranë, dy pistat kryesore të policisë! Gjendet makina e autorëve

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Zall Mner të Tiranës ditën e sotme. 48-vjeçari Lulzim Visha u vra me armë zjarri në makinë. Ai ishte nisur për në punën e tij si postier në një postë private, ku u qëllua me breshëri plumbash.
Të paktën 12 gëzhoja pistolete u gjetën brenda makinës ku lëvizte viktima.
Dyshimet kryesore
Për ngjarjen policia ka disa pista. Mes tyre është edhe një hasmëri e mundshme mes viktimës me persona të tjerë, pasi para disa viteve vëllai i Vishës ka vrarë një person tjetër. Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1997.
Po ashtu ka edhe një pistë tjetër që po verifikohet. Dyshohet se dy vëllezërit Visha muajt e fundit kanë pasur një konflikt me persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit. Për këtë arsye dyshohet se 48-vjeçari është nxjerrë në pritë.
Banorët kanë treguar se nuk kanë dëgjuar të shtëna, e për këtë arsye janë ngritur dyshimet se 48-vjeçari është qëlluar me një pistoletë me silenciator.
Sa i takon autorëve, ata mbeten mister. Në Zall Herr, efektivët e policisë gjetën një makinë të djegur, që dyshohet se u përket atyre. Megjithatë hetimet për këtë rast vijojnë me qëllim identifikimin dhe autorëve të kësaj ngjarje makabër./thashethemet.com