Zbulohen dy viruse të reja në Kinë, ekspertët paralajmërojnë rrezik për njerëzit

Shkencëtarët në Kinë kanë zbuluar dy viruse të reja te lakuriqët e natës, të ngjashëm me viruset vdekjeprurëse Nipah dhe Hendra, që mund të shkaktojnë inflamacion të trurit dhe probleme të rënda në frymëmarrje.
Viruse u identifikuan në veshkat e lakuriqëve të natës frutngrënës që jetojnë pranë pemishteve dhe fshatrave në provincën Yunnan. Ekspertët thonë se nuk ka as vaksinë dhe as trajtim për to, dhe ngritën shqetësime serioze për mundësinë e përhapjes te njerëzit apo kafshët.
Studiuesit analizuan 142 lakuriqë të natës nga 10 lloje të ndryshme dhe zbuluan 22 viruse, 20 prej të cilëve nuk janë parë më parë. Dy më shqetësuesit ishin henipaviruse të ngjashëm me Nipah dhe Hendra, të cilët mund të përhapen përmes urinës dhe frutave të kontaminuar.
Raporti, i botuar në revistën shkencore Plos Pathogens, bën thirrje për vëmendje të menjëhershme, duke theksuar se lakuriqët janë bartës natyralë të shumë viruseve të rrezikshme, përfshirë edhe ato që kanë shkaktuar pandemi si Covid-19 dhe Ebola.
Ndërkohë, paralelisht, shkencëtarët kanë ngritur alarmin edhe për fermat e gëzofit në Kinë, ku viruse të ndryshme janë zbuluar duke u përzier te kafshët. Sipas virologut Edward Holmes, kjo industri mund të jetë një nga rrugët më të rrezikshme drejt pandemisë së radhës./thashethemet.com