Zgjohesh para orës 7? Ja pse je më i shëndetshëm dhe më i lumtur!

Nëse je ndër ata që i hapin sytë herët, edhe para se dielli të ngjitet mirë mbi horizont, ka një arsye më shumë për të buzëqeshur. Sipas disa studimeve të fundit, personat që zgjohen herët jo vetëm që janë më energjikë, por përjetojnë më pak stres dhe kanë një humor më të mirë gjatë ditës.
Ekspertët shpjegojnë se drita natyrale e mëngjesit ndihmon trupin të rregullojë orën e brendshme biologjike, e njohur si ritmi cirkadian, duke rritur prodhimin e serotoninës, hormonit të lumturisë. Ky mekanizëm natyror ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e gjumit, fokusit dhe mirëqenies mendore.
Por përfitimet nuk ndalen këtu.
Ata që zgjohen herët, të ashtuquajturit “early birds”, kanë më shumë gjasa të jenë fizikisht aktivë, të ndjekin rutina të qëndrueshme dhe të marrin vendime më të shëndetshme gjatë ditës. Kjo sjell një cilësi më të lartë jete dhe një ndjenjë të fortë kontrolli mbi kohën dhe përditshmërinë.
Në një botë ku shpesh ndihemi në garë me kohën, të zgjohesh herët është një akt rebelimi pozitiv: je ti ai që e nis ditën, jo dita që të vrapon ty./thashethemet.com