Zyrtare: Kolegia socialiste i lë vendin, Gazment Bardhi nuk shpëton nga “makthi” Zegjine Çaushi (VIDEO)

Pas procesit të rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, socialistja Maldrita Bardho arriti të siguronte mandatin për deputete me një diferencë prej vetëm 10 votash ndaj koleges së saj, Zegjine Çaushi. Megjithatë, në një deklaratë publike, Bardho ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga mandati dhe do t’ia lërë atë Çaushit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardho u shpreh e nderuar për mbështetjen e qytetarëve dhe vlerësimin e marrë përmes votës së tyre, por theksoi se vendimin për të mos marrë mandatin e kishte marrë që përpara rinumërimit, dhe se tani është më e bindur për të.
“Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zegjine Çaushi, Zegjinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë, duke u vënë në shënjestër të sulmeve të pamerituara nga politika e vjetër,” shkruan Bardho.
Ajo shtoi se do të vijojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për qytetin e Lushnjes, pavarësisht se nuk do të jetë në parlament.
Gjatë fushatës elektorale në Fier, Zegjine Çaushi mori vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke u përfshirë në një seri përballjesh satirike me Gazment Bardhin, kreun e grupit parlamentar të PD-së.
Një moment kulmor ishte thirrja e saj “Gazooo, ome ku je?!” e përsëritur në TikTok dhe Instagram, e shoqëruar me ironi për mungesën e tij në përballje që shpesh u shndërrua në meme humoristike e pëlqyera nga publik i gjerë.
Para se Maldrita Bardho të vendoste ta linte mandatin, Bardhi komentoi në rrjetet sociale pas përfundimit të rinumërimit. Ai tha se Çaushi është hajdute si Belinda Balluku dhe duke ndjekur modelin e saj merr pa të drejtë çfarë i del përpara.
Por duket se ajo është shndërruar në makth për Bardhin. Ky i fundit do ballafaqohet ballë për ballë me socialisten nga foltorja e kuvendit tashmë!
Më poshtë keni një video me “perlat” e Zegjinesë: